Shkodra, “arushët” e politikës si vegla të “luanëve” të krimit

Kemi të bëjmë, me luftë bandash, të veshura me “kostum politik”, që zhvillohet në terren, për të marrë në zotërim vendin, betejë që po “rrjedh lumë gjaku” e që nuk do të ndalet, deri sa të ulet përfundimisht “flamuri” i shtetit dhe të ngrihet e të valojë hapur e lirshëm, “flamuri” i pushtetit të krimit

Principatat e krimit, kanë marrë Shkodrën e Shqipërinë, Rama në 3 pozicione: “dordolec, kapobandë dhe ushtar” i tyre

Shkodra, u trondit nga një vrasje tjetër, provë që po tregon qartë, se pushteti “Rilindja”, që bëri gjithë maskarallqët, për ta marrë këtë qytet e zonë, si pushtet politik-administrativ, ka humbur dhe kontrollin ligjor, duke ia lënë pushtetin bandave kriminale.

Nuk janë larje hesapesh, por luftë për të zaptuar territoret e braktisura nga shteti, janë përleshje që zhvillohen brenda, jashtë dhe rrotull “stanit” të mafies qeveritare e cila, ka kthyer Shkodrën, në “xhungël private” ekonomike-financiare, të zaptuar e kontrolluar, nga “luanët” dhe “arushat” e pashpirta e të pangopura, që ka hedhur, ushqen dhe vërsul Edi Rama atje.

Lëvizjet, heshtja, mbështetja e skutave, që Rama po i bën klanit të tij në “xhunglën” Shkodër, i ka dhënë kësaj zone, profilin dhe fuqinë e një “principate krimi”, që nuk pyet më për qeveri, ligj e shtet, duke e kthyer edhe Edi Ramën, nga kryeministër, në ushtar të bindur.

Kjo po ndodh në Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë, Dibër, Lezhë, Krujë, Sarandë, ku pushtetin nuk e ka shteti, qeveria e kryeministri, por e kanë bandat e kryetarëve të bashkive, të promovuara me financime e mandate pushteti, nga kryeministri dhe horrat e tij deputetë, ministra, drejtorë e kryetarë PS-je, rë cilët janë shërbëtorë, bashkëpunëtorë dhe ortakë në krime e biznese.

Hipotekat, drejtoritë arsimore, spitalet, rezervuarët e peshkut e të ujit, pyjet, malet për gurore, koncesionet e rrugëve, transportin, aeroportin, plazhet, koncesionet, tregun ushqimore dhe bizneset e ilaçeve, nuk i ka më nën kontroll zyrtar kryeministri dhe qeveria, por bandat e licencuara prej tij, të cilat tashmë e kanë kthyer në “dordolecë”, që duhet të heshtë, ose të flasë me gjuhën e interesave të tyre.

Vrasja e sotme në Shkodër, i përket një “Klase mafioze” të klasit të lartë e të sofistikuar, por aq me pushtet, sa ka nisur të dalë hapur, sespe i ka hapur rrugë Rama dhe qeveria, duke i shërbyer si prapavijë financiare-ekonomike, me koncesione, licenca e pasuri të shumta dhe pa asnjë ndëshkim!

Me këtë sundim dhe fuqi të krimit, që po manifestohet lirshëm e hapur në Shkodër, Elbasan, Durrës e Vlorë, krijohet bindja e dyfishtë, se kryeministri Rama, ose ka mision shkatërrimin e vendit, duke lejuar “pushtetet e bandave”, ose është vetë kapobanda e tyre, që komandon, duke përdorur mandatin si kryeministër fuqiplotë.

Nuk ka asnjë shpjegim tjetër, fakti që kryeministri, “ulet në gjunjë” para krerëve të bandave dhe u jep koncesione miliarda lekë në ilaçe, spitale, pyje, HEC-e, miniera, troje, fabrika, monopole ushqimore, tregje makinash, polici private, shoqëri sigurimesh, banka, federata sportive e gjithçka, duke i lënë shtetit, vetëm çelësat zyrave, duke i lënë shqiptarëve, vetëm frymë-marrjen, natyrisht nëse do kenë mundësi të sigurojnë bukën çdo ditë!

Vrasja e Shkodrës, tregoi se kemi të bëjmë, me një luftë “principatash” kriminale, të veshura me “kostum politik”, që zhvillohet në terren, për të marrë në zotërim plazhin e Velipojës dhe resurset e tjera ku bëhen miliarda, me pasojë “lumë gjaku” e që nuk që nuk do të ndalet, deri sa të ulet përfundimisht “flamuri” i shtetit dhe të ngrihet e të valojë hapur e lirshëm, “flamuri” i pushtetit të krimit. /Pamfleti