“E drejta për t’u harruar”, lufta e Google ndaj ligjit Evropian të privatësisë

A man holds his smartphone which displays the Google home page, in this picture illustration taken in Bordeaux, Southwestern France, August 22, 2016. REUTERS/Regis Duvignau

BE dhe SHBA, pranojnë të drejtat e privatësisë dhe të fjalës së lirë, por kur të dy të drejtat ndeshen, përparësitë ndryshojnë – SHBA zgjedh përgjithësisht fjalën e lirë dhe BE në përgjithësi e sheh privatësinë si më të rëndësishme.
Në një përballje në gjykatën më të lartë të Evropës, Google do të përpiqet të bindë se BE nuk duhet të zgjerojë ligjet e veta të privatësisë në pjesën tjetër të botës. Rasti shënon kulmin e një beteje të gjatë në Evropë – por në varësi të urdhërit të gjykatës, implikimet mund të jenë globale. Ja se çfarë duhet të dini për këtë fazë të fundit të sagës “e drejta për t’u harruar”. Cila është e drejta për t’u harruar?

Në vitin 2014, Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian vendosi që Google (GOOGL, + 0.76%) duhej të hiqte lidhjet me informacionet e vjetëruara për një burrë spanjoll, sepse nuk donte që njerëzit të mësonin rreth falimentimit të tij të ndodhur më shumë se një dekadë më parë, sa herë që kërkonin emrin e tij.

Ishte një vendim bombë që u mundësonte njerëzve të kërkonin largimin e miliona lidhjeve me informacion që është “i pasaktë, i pamjaftueshëm, i parëndësishëm ose i tepruar”. E drejta quhet zakonisht “e drejta për t’u harruar”. Dobësia e madhe këtu është se Google duhet të vendosë se çfarë është dhe nuk është në interesin publik. Por përsëri, sistemi duket sikur vijon të punojë për momentin.

Pra, cili është problemi?

Çështja qënron tek hapësira territoriale e fshirjes së këtyre lidhjeve. Google ka shumë versione kombëtare të motorit të saj të kërkimit në mbarë botën, kështu që sa larg duhet të shkojë gjeografikisht, një vendim I tille? Sipas rregullatorit francez të privatësisë, CNIL, Google duhet të jetë gjithëpërfshirëse.

Në mesin e vitit 2015, CNIL i tha Google se nuk ishte e mjaftueshme për të hequr një lidhje për një qytetar francez nga versioni francez i faqes, google.fr, as edhe nga versionet e tjera të BE si google.de gjermane. Përkundrazi, tha mbikëqyrësi, Google duhet të heqë lidhjen nga çdo version, duke përfshirë google.com që shërben në U.S.

Argumenti i CNIL mbështetet në faktin se dikush në Francë apo Gjermani apo ndonjë vend tjetër të BE-së mund të vizitojë një version të BE-së të motorit të kërkimit dhe të gjejë lidhjen në fjalë.

Google dha si opsion fshehjen e lidhjes për vizitorët google.com të cilët mund të zbulohen se janë të vendosur në BE. Megjithatë, CNIL, kundërshtoi duke thënë se një europian mund të përdorë një rrjet privat virtual (VPN) ose ndonjë mjet tjetër për fshehjen e vendndodhjes.

Në 2016, rregullatori gjobiti Google, e cila u ankua në gjykatën supreme administrative të Francës dhe më pas u referua si rast deri në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Europian vitin e kaluar.

Zbatimi i ligjit të privatësisë së BE-së.

Ju ndoshta jeni duke menduar se si ligji më i ri i BE për privatësinë, Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR), i detyron kompanitë anembanë botës të ndjekin rregullat e BE nëse dëshirojnë të bëjnë biznes në bllok.

GDPR është një shembull i madh i BE-së që eksporton rregullat e tij të privatësisë. Një lojtar global si Google ose Facebook i shërben njerëzve në mbarë botën, kështu që nëse duhet të ndryshojë rrënjësisht sistemet e saj të privatësisë për të përmbushur detyrimet e saj ligjore në Evropë, ka kuptim që ajo të ofrojë të njëjtat cilësime për rritjen e privatësisë tek përdoruesit në SHBA dhe gjetkë.

Përndryshe, kjo do të vinte në dyshim standartet e zbatimit të ligjit në SHBA dhe Evropë duke mos lënë një përshtypje aspak të mirë tek amerikanët. Mbajtja e sistemeve të ndara do të ishte gjithashtu e komplikuar. Por ajo që po ndodh me të drejtën për t’u harruar mund të krijojë një situatë edhe më shpërthyese, sepse nuk ka të bëjë vetëm me të drejtat e privatësisë – është një lloj censure.

Çfarë ndodh nëse Google humbet?

Google argumenton se, nëse vëzhguesi francez i privatësisë fiton procesin, rezultati mund të jetë një “garë globale.” Në fund të fundit, nëse ligji i BE-së mund të diktojë atë që dikush në SHBA mund ose nuk mund ta shohë në internet, atëherë pse nuk duhet që kinezët të kërkojnë të njejtën gjë për amerikanët ose brazilianët apo evropianët.

BE dhe SHBA, pranojnë të drejtat e privatësisë dhe të fjalës së lirë, por kur të dy të drejtat ndeshen, përparësitë ndryshojnë – SHBA zgjedh përgjithësisht fjalën e lirë dhe BE në përgjithësi e sheh privatësinë si më të rëndësishme.

Vetëm për faktin se është teknikisht e mundur që dikush në BE të mashtrojë sistemet e Google në ofrimin e një sërë rezultatesh të ndryshëm, a e justifikon BE-ja imponimin e sistemit të vet ligjor për amerikanët? Kjo do të shkelte të drejtat e garantuara për amerikanët sipas ligjeve të tyre. /