Tregu i dobët i reklamave fut median në krizë: Televizionet pa fitime, “online” mund print-in

Për vitin 2017, vlerësohet se tregu në përgjithësi ka rënë me 2.2%, për të arritur në 38.4 milionë euro.Vetëm 350 persona kishin akses në internet në Shqipëri në vitin 1995, sipas të dhënave të Bankës Botërore. I ulët mbeti përdorimi i internetit deri në vitin 2006, ku gradualisht kishte arritur në gati 10% të popullsisë. Më pas filloi rritja e shpejtë, për të arritur në vitin 2016, ku 66% e popullsisë, apo gati dy milionë persona kanë akses në rrjet.

Përgjatë 5 viteve të fundit, interneti dhe teknologjia e ndryshuan me shpejtësi mënyrën si shqiptarët komunikojnë, informohen, argëtohen dhe shpenzojnë kohën e lirë. YouTube, kanalet dixhitale, Netflix kanë ngushtuar hapësirën, që dikur ishte e dedikuar vetëm për televizorin. Smartphone është bërë shoqëruesi i gjithsecilit dhe mjeti i parë i informimit, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për moshën e mesme tashmë.

Në linjë me këto zhvillime, bizneset, po gjejnë forma më eficiente dhe më direkte për të arritur te klienti. Nga ana e tyre, mediat duhet të ecin me hapa të shpejtë për t’ju përshtatur kësaj tendence e për të mos mbetur prapa: televizionet me programe më të shumta dhe më argëtuese për të tërhequr shikuesin e shpërqendruar dhe shtypi i shkruar, me lajme, analiza e komente që nuk i ke lexuar kudo një ditë më parë. Por, kjo sa vjen e po bëhet më e vështirë, teksa burimi kryesor i të ardhurave të tyre, reklamat, po vjen në tkurrje, me bizneset e mëdha që jo vetëm po shkurtojnë vazhdimisht buxhetet e marketingut, por edhe po orientohen drejt reklamimit online.

Prej disa vitesh, tregu i reklamave në vend vlerësohet i mbërthyer në shifrat e 37-39 milionë euro në vit, ku peshën kryesore e zënë televizionet, me rreth 70% të totalit. Ato po arrijnë të rezistojnë me një luhatje prej rreth 3% në vit, herë në rritje e herë në rënie. Me tkurrje dyshifrore është shtypi i shkruar që po bie vazhdimisht nga konkurrenca e fortë që po vjen nga mediat online.

Këto të fundit janë të vetmet që po i gëzohen rritjes së reklamave, teksa bizneset po orientohen drejt kësaj forme eficiente të shënjestrimit të tregut të synuar, duke kanalizuar në këtë drejtim atë që kursejnë nga shtypi i shkruar. Reklamat Outdoor e morën veten pas rënies në 2015-n, për të shënuar sërish tkurrje në 2017-n.
Në kahun e biznesit, buxhetet e marketingut veçse po tkurren, sidomos nga kompanitë e telekomunikacionit, që janë dhe reklamuesit më të mëdhenj në vend. Mbyllja e Plus Communication në fund të 2017-s hoqi nga tregu i reklamave rreth 1 milion euro në vit.

Tregu i reklamave 2016-2017

Në total, tregu i reklamave në vend në vitin 2016 vlerësohet të ketë arritur në rreth 39.3 milionë euro, me rritje të lehtë me rreth 3%, i udhëhequr nga përmirësimi i të ardhurave të televizioneve, rritjes së fortë online dhe një periudhe më të mirë të operatorëve outdoor.

“Monitor” e ka bërë vlerësimin e tregut të reklamave për 2016, duke u nisur nga tregues direktë të matur nga disa drejtime:

të ardhurat e kategorive kryesore të tij, televizioneve, shtypit të shkruar, outdoor dhe online, të matura në pjesën kryesore nga xhiro që aktorët kryesorë kanë deklaruar në bilancet e tyre të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
shpenzimet e kompanive kryesore për marketing, kryesisht telekomunikacione, banka, produktet që lëvizin shpejt nga rafti (FMCG), sipas raportimeve të detajuara në bilancet përkatëse.
Për vitin 2017, vlerësohet se tregu në përgjithësi ka rënë me 2.2%, për të arritur në 38.4 milionë euro. Të gjitha segmentet, me përjashtim të atij online, kanë raportuar rënie, që më e madhe ka qenë për shtypin e shkruar.

Vlerësimi i vitit 2017 është bërë duke u bazuar në sasinë e sekondave (njësi shitjeje e televizionit) të reklamës të transmetuar në mediat televizive, sipërfaqes (në cm²) në shtypin e shkruar, online (px²) dhe në outdoor (m²) sipas të dhënave të siguruara nga kompania monitoruese Idra Media (të dhënat e sakta, sipas bilanceve të raportuara nga televizionet, radiot, kompanitë outdoor janë të disponueshme vetëm pas korrikut).

Edhe për vitin 2018, ekspertët e agjencive të reklamave në vend nuk janë shumë optimistë. Kompanitë po vijojnë të shkurtojnë buxhetet e marketingut, si një reflektim ndaj situatës jo shumë të mirë ekonomike. Opsioni më i mirë, sipas tyre, është që tregu të qëndrojë të paktën në nivelet e 2017-s.

Televizioni

-Nga deklarimet në bilanc të televizioneve kryesore në vend, vlerësohet se të ardhurat e këtij segmenti ishin 31 milionë euro, në vitin 2016, me një rritje prej rreth 3.3% me bazë vjetore, duke shënuar të dytin vit radhazi me rritje të lehtë. Ndikimin kryesor në këtë përmirësim e dhanë televizioni

Klan, ABC News, Report Tv dhe më pak Scan Tv, ndërsa operatorët e tjerë kanë deklaruar rënie.
Shikueshmëria e lartë e telenovelave turke ka qenë një tjetër magnet për reklamuesit që kapim një audiencë të ndjeshme me një kosto relativisht të ulët.

Vizion Plus dhe Klan i kanë dhënë hapësira dhe orare në ‘prime time’ në programacion këtyre telenovelave, ndërsa Top Channel vijon t’i rezistojë, duke u përqendruar te prodhimet e veta.
Për vitin 2017, vlerësohet se tregu ka rënë lehtë me 2% në 30.4 milionë euro, teksa monitorimet e Idra Media tregojnë një tkurrje të lehtë të sekondave të reklamave të transmetuara në televizionet kryesore.

Shtypi i shkruar

-Të ardhurat e shtypit të shkruar vlerësohen në rreth 2.2 milionë euro në vitin 2016, me një rënie vjetore të fortë prej 18%, në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga mediat kryesore në vend dhe monitorimeve nga Idra Media. Të gjitha gazetat, përveç Koha Jonë kanë shënuar rënie, që për disa ishte dyshifrore.
Tkurrja ka vijuar dhe në vitin 2017, sipas monitorimeve të Idra Media, teksa tregu vlerësohet të ketë zbritur në 2 milionë euro, me një reduktim të mëtejshëm prej të paktën 10%. Reklamuesit e mbetur janë kryesisht ata që kanë lidhje pronësie me mediat e grupit përkatës, ndërsa telekomunikacionet, që ishin burimi kryesor i të ardhurave janë zhvendosur online.

Outdoor

-Tregu i outdoor vlerësohet në rreth 3.2 milionë euro në 2016-n, i llogaritur në bazë të të ardhurave të deklaruara në bilanc nga kompanitë kryesore që veprojnë në këtë kategori. Ky segment e ka marrë veten, me rritje prej 7%, pas tkurrjes për dy vite radhazi. Por, rënia është rikthyer në vitin 2017, sipas monitorimeve të Idra Media, me rreth 9%, duke arritur në 2.9 milionë euro.

Internet

-Tregu online është në zhvillim të shpejtë dhe më i vështiri për t’u matur, për shkak të informalitetit të lartë. Që prej vitit 2015, kur ky segment monitorohet nga Idra Media, ka shënuar rritje të shpejtë. Në 2016-n, sipërfaqja e reklamuar u rrit me 68% me bazë vjetore. Zgjerimi ka vijuar edhe në 2017-n, ndonëse me ritme më të ngadalësuara prej 16%.
Tregu i reklamave online vlerësohet të ketë arritur 2.4 milionë euro në vitin 2017 , duke ia kaluar për herë të parë nivelit të reklamimit në median e shkruar. 30% e tyre shkojnë kryesisht drejt faqes së internetit të Top Channel dhe portalit Balkan Web.

Radio

-Radio vlerësohet të tërheqë rreth 0.9-1 milion euro në vit, sipas të ardhurave të deklaruara nga radiot më të mëdha në vend, me një rënie të vazhdueshme. /Monitor