Përrallat nga kombi i kriptomonedhave

Historia e kriptomonedhave në Zug filloi në vitin 2013 kur Fondacioni Ethereum, një organizatë jofitimprurëse u vendos në këtë zonë për të mbështetur monedhën dixhitale.Një qendër bankare në përpjekje për t’u tjetërsuar totalisht. Zvicra i përkrah monedhat dixhitale dhe sipërmarrësit e tyre.

Kur koha është e mirë dhe pa vranësira, perëndimi mbi liqenin Zug është i mrekullueshëm. Malet e mbuluara me borë bëhen njësh me portokallinë e qiellit, duke u pasqyruar në mënyrë të mrekullueshme në liqen. Ky peizazh me kryefjalën Zug, është edhe “shtëpia jonë shpirtërore”, shprehet Jeremy Epstein nga Uashington DC, i cili do të shoqërojë 40 turistë të huaj gjatë vizitës në qytetin e vogël zviceran në jug të Zyrihut, shkruan The Economist.

Pjesa më e madhe e turistëve nuk vijnë në këtë qytet të vogël për të parë vetëm perëndimin, sado përrallor që të jetë, por ata vijnë për të kuptuar dhe për të zbuluar sesi Zug-u u bë i njohur si “lugina e kriptomonedhave”, që do të thotë shtëpia e shumë firmave, të cilat emetojnë dhe operojnë me anë të kriptomonedhave.
Fshehtësia e sistemit bankar të Zvicrës është shndërruar në subjekt sulmesh nga e gjithë bota në lidhje me pastrimin e parave dhe evazionin fiskal.
Ky shtet duhet të kërkojë që të shndërrohet në “kombin e kriptomonedhave”, ndërsa Zug-u në kryeqytetin e tij, u shpreh muajin e kaluar, ministri i Ekonomisë, Johann Schneider-Ammann.

Për këtë qëllim, Zvicra po vepron në bazë të rregullave jo strikte për bizneset e kriptomonedhave, edhe pse vendet e tjera po i shtrëngojnë rregullat e tyre. Një industri e tërë po zhvillohet për të ruajtur të paprekur asetet e kriptomonedhave, siç janë driver-at në të cilat ruhen çelësat kriptografikë, në vende të fshehta, të ftohta dhe të pajisura me skuadrat e specialistëve më të mirë. Dhe ku mund të gjendej një vend më ideal sesa një bunker ushtarak në Alpet zvicerane për ta zhvilluar një industri të tillë?

Në Zug, përkrahja dhe mbështetja që i është dhënë dhe po i jepet kriptomonedhave duket qartë. Në këtë qytezë ndeshesh kudo me tabela të vogla ku shkruhet “Pranohen Bitcoin”, të cilat qëndrojnë të varura në vitrinat e një numri të madh dyqanesh, madje edhe në tregun e verës.
Në vitin 2016, Zug-u ishte vendi i parë në botë që pranoi Bitcoin si formë pagese për disa shërbime publike.
Sipas PwC, rreth një e katërta e totalit global të vitit të kaluar prej 5 miliardë dollarësh në ofertat fillestare të monedhës, është ngritur në Zvicër.

Nga dhjetë prej Ofertave Fillestare më të mëdha të monedhave, katër prej tyre e kishin bazën në Zug. Ky qytet e ka vendosur që shumë kohë më parë se do të përkrahë sipërmarrësit e kriptomonedhave, për shembull duke u lejuar kompanive që të operojnë në bazë të pasurisë së tyre në monedhën “dixhitale”, sesa t’i detyrojnë që t’i kthejnë ato në monedhën “Fiat”.
Taksat kanë qenë prej kohësh të ulëta. Pas Luftës së Dytë Botërore, qyteza dikur e peshkimit uli normën e tatimit në korporata në 8.5%. Kjo normë, e cila është aktualisht në 14.6% vijon të jetë konkurruese në krahasim me normën prej 21% të Zyrihut.

Fillimi i historisë së kriptomonedhave në Zug

Historia e kriptomonedhave në Zug filloi në vitin 2013 kur Fondacioni Ethereum, një organizatë jofitimprurëse u vendos në këtë zonë për të mbështetur monedhën dixhitale. Pas saj, aty shkuan edhe organizata të tjera. Në ditët e sotme, autoritetet lokale të taksave, kontabilistët dhe avokatët janë kthyer në ekspertë të kriptomonedhave.

Dy vjet më parë, Lakeside Partners, që kanë nën menaxhim një qendër biznesi në Zug, ua dha ambientet e saj për pesë prej këtyre kompanive që të zhvillonin aktivitetin e tyre, nga 30 që llogariteshin në atë periudhë. Ndërsa sot, numri i tyre llogaritet nga 70-90.
Ata erdhën në qytetin tonë si “disqe fluturues” me një shpejtësi të madhe, shprehet kryebashkiaku, Dolfi Mueller. Si unë, edhe të tjerë, ishin skeptikë në lidhje me avantazhet dhe përfitimet që do të kishte qyteti ynë prej tyre, por kurioziteti dhe të qenët mendjehapur ndaj risive na ka sjellë më shumë pasuri se në të kaluarën, thotë ai më tej.

Qeveria e decentralizuar e Zvicrës, demokracia e drejtpërdrejtë dhe historia e libertarianizmit, janë të gjithë elemente që kanë pasur ndikim dhe rëndësi në suksesin e Zug-ut. Dhe janë pikërisht edhe po këto, ato që e bëjnë diferencën edhe me shtete të tjera konkurrente si Hong Kongu apo Singapori.
Hartimi i një rregulloreje përfundimtare është i domosdoshëm, kjo edhe si një formë sigurie edhe ndaj vetë qeverive të vendeve ku këto kompani janë vendosur. Ju mund të jeni të blinduar nga të gjitha anët po nëse kulla juaj ndodhet në Kinë ose Singapor dhe qeveria vendos t’ju marrë të gjitha pasuritë që ju keni, ju nuk mund të bëni asgjë, shprehet Niklas Nikolajsen, ofrues i shërbimeve financiare në Bitcoin Suisse.

Ndërsa në Zvicër, kjo gjë nuk mund të ndodhte kurrë. Rregullatorët në vende të tjera e konsiderojnë mbrojtjen e konsumatorit nga monedhat e reja të dyshimta, si kriptomonedhat, si një prej detyrave të tyre më të rëndësishme. Ndërsa Zvicra, edhe në këtë drejtim, ka një qasje tjetër.
“Konsumatorët tanë duhet të kenë lirinë për të investuar në instrumente të reja, madje edhe në kumar”, shprehet një zyrtar. Ndërsa, Jörg Gasser, sekretari i Shtetit për financat ndërkombëtare, është pak skeptik duke thënë se në momentin kur flluska e Bitcoin do të shpërthejë, investitorët do të kërkojnë që të veprohet mbi bazën e rregullatorëve të caktuar.

Por ai shton se ndaj këtij sektori nuk duhet të vendosen rregullore të forta. Prioritet i tij, sipas z. Gasser, është mbrojtja e integritetit të Zvicrës si një qendër financiare. Rregullatori kombëtar, FINMA, po heton disa oferta fillestare të monedha, të cilat dyshohen për shkelje të rregulloreve, duke përfshirë rregullat kundër pastrimit të parave.

Ai nxori edhe disa udhëzime në bazë të të cilave duhej të zbatohej legjislacioni ekzistues i tregut. Një grup pune është mbledhur për të parë se cilat janë rregullat e duhura mbi bazën e të cilave duhet të veprojnë Ofertat Fillestare te Monedhave.

Objektivi kryesor në këtë drejtim është jo vetëm rritja e sigurisë juridike, por edhe të qenët të sigurt se Zvicra do të vazhdojë të mbetet një prej shteteve më tërheqëse në këtë drejtim, tha në një deklaratë për shtyp, z. Gasser, e cila u perceptua nga sipërmarrësit e kriptomonedhave si një mesazh ku shprehej interesi që Zvicra ka ende ndaj biznesit të tyre.

Dhe në të vërtetë, teksa ky sektor po maturohet gjithnjë e më shumë, shtetet që ofrojnë një mbrojtje ose licencë rregulluese duhet edhe të përfitojnë, shprehet Joey Garcia, një avokat në Isolas LLP, i cili sapo ka dhënë kontributin në zhvillimin e një sistemi licencimi në Gjibraltar, një qendër rivale e kriptomonedhave. Por natyra e decentralizuar e kriptomonedhave nënkupton edhe që përfitimet e të qenët pjesë e një grupi të tillë mund të dobësohen. Vetëm në rast se qyteza e Zug-ut do të vazhdojë me përkrahjen dhe mbështetjen e saj, do të shihet nëse këto kriptomonedha do të arrijnë t’i rezistojnë testit të kohës. /Monitor