Mark Zuckerberg ka shitur aksione të Facebook me vlerë 500 milionë dollarë

Shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg, ka shitur afro 500 milionë dollarë aksione në pak ditë më parë për të financuar investimet e tij filantropike në Chan Zuckerberg.

Kjo lëvizje nuk është surprizë sepse Zuckerberg kishte planifikuar prej kohësh të shiste aksionet e tij për të mbështetur organizatën e themeluar në Dhjetor të 2015-ës.

Ai ka shitur 2.7 milionë aksione me vlerë 482.2 milionë dollarë.

Në Shtator ai tha se do të shiste diku mes 35-75 milionë aksione në 18 muajt e ardhshëm. Një përllogaritje e thjeshtë do të thotë se ekzekutivi i rrjetit social do të shesë plot 13 miliardë dollarë.

Miliarderi Zuckerberg ka premtuar të dhurojë 99% të aksioneve të tij në Facebook në Chan Zuckerberg të cilat, kur u themelua organizata, vlenin 45 miliardë dollarë.

Fondacioni i Zuckerberg është i ngjashëm me atë të themeluesit të Microsoft, Bill Gates dhe bashkëshortes së tij, Melinda Gates.

Një nismë të ngjashme ka ndërmarrë edhe miliarderi Warren Buffet me Fondacionin Buffet.