Shitja e veturave: Evropa kalon SHBA, Fiesta “mposht” Golf-in

Muaji mars solli ndryshime interesante në rezultatet e shitjes së automobilave të ri. Në Evropë janë porositur më shumë automjete se sa në SHBA, derisa Ford Fiesta në tregun evropian në mars ishte më i kërkuar se sa VW Golf.Me 1,92 milion automjete të porositura, me rritje në nivel vjetor prej 10,5%, Evropa në mars kaloi për nga shitja SHBA-të dhe iu afrua Kinës, në të cilën në po të njëjtin muaj ishin shitur 2,02 milionë automobila, tregojnë të dhënat e JATO Dynamics.

Ngritje të dukshme të shitjes në Evropë shënuan katër nga pesë tregjet më të mëdha: Italia (17,4%), Spanja (12,7%), Gjermania (11,4%) dhe Britania e Madhe (8,4%). Megjithatë, rritjen më të madhe e shënoi Greqia (49,5%), e cila po ringjallet nga rënia e mëhershme e shitjes së automobilave.

Volkswagen edhe më tej është lider për nga numri i veturave të shitura në Evropë, por me vetëm 3,9% rritje në nivel vjetor. Pason Ford me madje 15,9% rritje, derisa në vendin e tretë renditet Renault.

Është interesante se në muajin mars Ford Fiesta ishte modeli më i shitur në Evropë, duke lënë pas vetes modelin Golf. Mercedes dhe BMW arritën në mars të shesin mbi 100.000 automobila në Evropë. Rezultate të mira shënuan edhe Volvo me 36.891 automjete dhe Porsche me 9.259 automobila të ri të regjistruar, transmeton KosovaPress.

Muaji mars në Evropë vlerësohet si periudha më e mirë për plasmanin e automobilave.